Botërori “Katar 2022”, Shqipëria mposhtet 0-1 përballë Polonisë

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit është mposhtur 0-1 mbrëmjen e sotme në ndeshjen e zhvilluar ndaj Polonisë të vlefshme për grupin I të eliminatoreve të botërorit “Katar 2022”.

Nën një atmosferë elektrizuese të dhuruar nga 22 mijë tifoza kuqezinj Shqipëria nuk ka mundur të arrijë rezultat pozitiv.

Në pjesën e parë djemtë e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja megjithëse treguan superioritet në fushën e lojës nuk mundën të shënonin duke humbur raste me Manaj, Ozuni dhe Bare.

Në pjesën e dytë ka ardhur zhgënjimi për kuqezinjtë teksa në minutën e 78-të Polonia shënoi me anë të Swiderski, pas një gabimi të mbrojtjes kuqezi.

Pas këtij momenti ndeshja u ndërpre disa minuta pasi tifozët e zhgënjyer hodhën sende të forta në fushë.

Me rifillimin e lojës, Kombëtarja nuk mundi të kthejë dot rezultatin në minutat e mbetura megjithëse pati 2 raste me Armando Brojën.

Kjo humbje e zbret Shqipërinë të tretën në grupi I me 15 pikë. Ndërsa Polonia ngjitet në vendin e dytë me 17 pikë. Grupin e kryeson Anglia me 20 pikë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.