Rama: Liria e përhapjes s’mund të jetë njësoj me atë të fjalës, duhet rregullim i medies online

TIRANË, 11 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës”, ndërsa kërkoi rregullim me ligj të funksionimit të medias online.

Në konferencën e OSBE për Europën Juglindore “Gazetari në kohë krizash”, që po zhvillohet në Tiranë, Kryeministri Rama tha se në fokus të këtij takimi duhet të jenë diskutimet si të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe të bashkojmë përpjekjet për të krijuar një mjedis më të mirë për lirinë e medies.

“Nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t’u ftuar në këto lloj takimesh për shkak të opinioneve të mia, që njëfarësoj ndryshojnë nga ato që janë politikisht korrekte kur bëhet fjalë, jo për lirinë e medies, por për mënyrën se si në emër të kësaj lirie shumë gjëra që shkojnë kundër këtij koncepti të lirisë, ndodhin. Po i referohem saktësisht përhapjes në internet të lajmeve të rreme, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë të njerëzve të tjerë, të drejtave të tyre, logjikës dhe gazetarisë realiste, që bazohet në kontrollin e fakteve dhe burime të qarta dhe mbështetet në ndjenjën e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katërt reale”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ka një vijë mjaft të hollë e pa dyshim është përherë e rrezikshme që të përpiqemi t’i kombinojmë e të jetojnë të dyja bashkë në harmoni, kur vjen fjala për respektimin e lirisë së gazetarëve dhe nga ana tjetër për të respektuar lirinë e qytetarëve kur vjen fjala për media në internet”.

Rama tha se “liria e përhapjes së kësaj medie ka minuar njëfarësoj lirinë e fjalës”. “Liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës”, tha Rama.

Rama tha se “nuk është e lehtë se si të rregullohet kjo hapësirë kaotike ku të vërtetat dhe gënjeshtrat janë bërë bashkëshoqëruese dhe bashkëjetojnë duke e bërë ndonjëherë shumë të vështirë dallimin mes tyre”.

Por, tha ai, “nuk mendoj se mënyra më e mirë është t’i largohesh sfidës dhe të mbash një qëndrim ku thuhet se në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë sasi gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh apo shantazhesh, që ditët e sotme janë shndërruar në problem shumë të madh”.

“Na duhet të reflektojmë për këtë. E kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se kjo nuk lidhet vetëm me qeverinë, shumicën parlamentare, e aq më pak ka të bëjë kjo me vende e vogla. Kur bëhet fjalë për t’u përballur me këtë sfidë duhen përballuar një mori paragjykimesh që vijnë nga bota e korrektesës politikisht”, tha Rama.

Ai shtoi se “kjo lidhet me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha shoqërive e vendeve demokratike për t’u ngritur kundër lirisë së përhapjes që barazohet me lirinë e fjalës”.

“Nuk është kështu, është krejt e kundërta kur parafytyron përshembull se çfarë do t’i kishte bërë makineria propagandistike naziste botës me këtë liri, është tronditëse. Apo edhe pa u përpjekur të imagjinoj fare, përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po ndodh, po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë. Terrorizmi, të gjitha llojet e fondamentalizmit deri tek pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne që përmes lirisë së përhapjes mund të përhapen e prekin shumë qenie njerëzore, grupe në nevojë dhe shumë pjesë të dobëta të organizmit të shoqërive tona”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është vërtetë shumë e rëndësishme të mbrojmë sa më shumë të jetë e mundur lirinë e fjalës që të lulëzoj dhe të sigurohemi që gjithkush që ka diçka për të thënë të jetë në gjendje ta thotë”.

Por, tha ai, “kjo nuk mjafton. Na duhet të mbrojmë njerëzit”.

Rama solli në vëmendje dy përvoja personale, rastet me dy media prestigjioze ndërkombëtare. “U ftova të shkruaja një artikull për ‘The Guardian’ në fillim të viteve ’90. Përvoja ime e parë me medie ndërkombëtare. Asokohe u trondita nga sa të saktë donin të ishin në botimin e artikullit tim të shkurtër. Pasi nuk e botuan, donin ta kontrollonin, të verifikonin me mua nëse donin të ndryshonin titullin. Nuk kisha mundësi t’u përgjigjesha në të njëjtën ditë asaj kohe, dhe ata pritën të merrnin përgjigje prej meje. Kjo përvojë më pas u ndoq edhe nga një tjetër edhe më befasuese, nga ‘Nju Jorker’. Një gazetare erdhi për të bërë një portret timin. Para se të largohej më thotë se ka mbetur edhe një gjë tjetër, ‘duhet të përgatitesh që të kalosh një proces shumë neurotik të fakteve të artikullit tim’. Kuptova që ata për çdo njeri që përmendej në artikull edhe për gjëra shumë të vogla donte që çdo person i përmendur në artikull të binte dakord me çdo fjalë të shkruar në artikull që i citonte. Kur i thashë ‘kjo është e tepërt’ më tha se kjo është arsyeja përse ne nuk kemi humbur asnjë çështje në gjykatë në SHBA”, tha Rama.

Rama tha se “nëse krahasohet kjo me atë që po ndodh ditë pas dite me një fluks informal të medies dhe kur shikoni se jeni keqcituar, ekspozuar duke thënë gjëra që as ju kanë shkuar në mendje dhe jo të thuash, kjo është diçka përtej kërkimit për audiencë përhapje”.

“Çfarë po u bën kjo atyre që janë në detyrë? Dhe po të shkojmë përtej atyre, po të shkojmë te qytetarët e thjesht, çfarë dëmi i shkakton atyre është kriminale se në fund të fundit kur je politikan, zyrtar i zgjedhur mban një detyrë mund ta stërvitësh veten të mbijetosh dhe të thuash ‘më duhet të bashkëjetoj me të’. Të gjitha mënyrat për të kundërsulmuar janë mënyra potencialisht të rrezikshme për veten, sepse menjëherë etiketohesh si një person që je kundër lirisë së të tjerëve, por kur sheh fëmijët e tu, familjen tënde apo fëmijët e familjet e të tjerëve që ngacmohen publikisht me gënjeshtra,  shpifje, akuza të pabaza, çfarë bën? Shkon në gjykatë. Duhen vite që gjykata ta përfundojë çështjen, por dëmi është bërë ndërkohë”, tha Rama.

Ndaj, vijoi ai, “kur mendon se kapaciteti për këto gënjeshtra që të dëgjohen e lexohen është shumë herë më i madh sesa kapaciteti i së vërtetës, kjo shndërrohet në makth të mirëfilltë”.

“Jam i sigurt se njerëzit këtu e njohin këtë vlerësim që i është bërë përhapjes së informacionit përmes Twitter, ku në pikëpamjen faktike postimet e pasakta e të pavërteta në Twitter kishin një përhapje shumë më të lartë sesa ato të vërteta”, tha Rama.

Kryeministri tha se “shoqëritë tona dhe bota jonë është përballë sfidave të mëdha, por edhe kjo sfidë duhet trajtuar në mënyrë krijuese, pa harruar sa e rëndësishme është për të mos kufizuar lirinë e fjalës, ndërkohë që përpiqemi të rregullojmë lirinë e përhapjes”.

“Mendoj se ta lësh të patrajtuar e thjesht të predikosh për lirinë përballë këtyre valëve kaq shkatërrimtare të gënjeshtrave e të pavërtetave nuk është përgjigjja. Unë nuk e kam përgjigjen, se po ta kisha do të kisha fituar një çmim Nobel. I respektoj shumë ata që kanë respekt për veten dhe misionin e tyre dhe luftojnë për të vërtetën deri në fund duke u përballur me regjime brutale dhe të rrezikshme. Sinqerisht nuk jam optimist, duke parë atë që ndodh nuk e kuptoj se pse televizionet dhe gazetat duhet të rregullohen dhe janë të rregulluara dhe media online jo. Dëgjoj në mënyrë të qartë e të fortë lidhur me të ashtuquajturin vetërregullim, por nuk jam i sigurt se kjo është përgjigjja përkundrejt shpejtësisë, sepse shpejtësia është përtej kufijve të imagjinatës së qenieve njerëzore, kur vjen fjala për vëllimin që duhet përpunuar për të parandaluar këtë përhapje”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.