Brenda muajit vijnë 170 mijë vaksina, pjesë e kontratës me kompaninë Pfizer

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë pritur në Shqipëri shefin e kompanisë “Pfizer”, Albert Bourla, i cili ka parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaskinave në depon e barnave në QSUT me qëllim për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina “Pfizer”, në përmbushje të planit të vaksinimit antikovid.

Manastirliu tha se kapacitetet ruajtëse janë më të larta dhe që mund të ruajnë deri në 4-5 milionë doza vaksinash, ndërkohë që bëri me dije që këtë muaj pritet të vijnë 170 mijë doza vaksine, falë marrëveshjes me kompanisë “Pfizer”.

“Aktualisht kapacitetet tona janë më të larta. Kështu që mund të ruajmë mbi 4-5 milionë doza vaksinash. Jemi të mirëpërgatitur. Po rrisim kapacitetet tona për zinxhirin ftohës, sepse të gjithë e dimë që është e rëndësishme jo vetëm që të marrim vaksinat, por edhe që të përpiqemi që të ruajmë cilësinë e tyre. Në Shqipëri ne kemi aktualisht rreth 665 mijë të vaksinës ‘Pfizer’. Po presim në fakt dorëzimin e pjesës së parë të dërgesës nga kontrata e re, në datën 17 tetor, 170 mijë doza vaksine”, tha Manastirliu.

Duke falënderuar shefin e kompanisë “Pfizer” për mbështetjen, Kryeministri Rama tha se kur shumë vende mbyllën dyert e tyre, kompania “Pfizer” u gjend aty për të ndihmuar Shqipërinë.

“Pa ju në fillim ky vend do të kishte vuajtur shumë psikologjikisht nga pamundësia për të nisur vaksinimin. Dhe siç ju thashë në zyrë herën e parë që ne u takuam, ju hapët dyert në momentet që Nju-Jorku ishte mbyllur tërësisht dhe ne në zemër të BE dhe duke qenë këtu e ndërkohë shihnim të tjerët që kishin nisur dhe të mos kishim vetë të fillonim ishte shumë e rëndë”, tha Rama.

Shefi i kompanisë “Pfizer”, Albert Bourla u shpreh se “kur ju shihja Juve që erdhët dhe filluat të gjenit argument për të marrë dozat e para ishte shumë bafasuese. Isha shumë i lumtur që pata mundësi t’ju ndihmoja dhe jam shumë i lumtur që u bëmë miq gjatë kësaj sfide dhe dua t’ju falenderoj për miqësinë Tuaj”, tha Bourla.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.