Terapi e re për tumorin e prostatës

PADOVA, 10 tetor /ATSH-ANSA/ – Një hulumtim nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Andrea Alimonti ka zbuluar një mekanizëm në zorrët e meshkujve që mund të ndryshojë qasjen terapeutike në rastet e kancerit të prostatës, që janë bërë rezistente ndaj kastrimit.

Kanceri i prostatës është tumori më i zakonshëm te burrat dhe incidenca e tij po rritet.

Hormonet mashkullore (androgjenet) janë faktori kryesor në mesin e atyre që stimulojnë rritjen e këtij tumori dhe për këtë arsye, në rastet që kërkojnë trajtim, përdoren ilaçe që bllokojnë prodhimin e androgjeneve.

Sidoqoftë, nëse është e vërtetë që në fazat fillestare ky lloj trajtimi pothuajse gjithmonë arrin të bllokojë sëmundjen, pas një periudhe të ndryshueshme kohore tumori shpesh bëhet rezistent ndaj kësaj qasjeje terapeutike (në këtë rast ne po flasim për prostatën rezistente ndaj kastrimit) dhe pastaj prognoza bëhet më e keqe.

Ekipi identifikoi një mekanizëm të ri të përfshirë në bërjen e kancerit të prostatës rezistent ndaj terapisë antiandrogjen dhe i lidhur me mikrobiomin e zorrëve.

Ekipi ishte në gjendje të demonstronte se mikrobioma, si në disa modele shtazore ashtu edhe në njerëz, është pasuruar me specie të veçanta bakteriale në rastet kur regjistrohet rezistencë ndaj terapive antiandrogjenike.

“Këto specie bakteriale janë në gjendje të prodhojnë androgjene duke filluar nga disa prekursorë metabolikë. Duke vepruar kështu, këto baktere janë në gjendje të stimulojnë rritjen e tumorit tek pacientët, edhe kur terapitë mjekësore kanë qenë në gjendje të eliminojnë androgjenet e prodhuara nga testikujt dhe gjendrat e adrenalinës”, thotë Alimonti.

Ky zbulim mund të ketë një rëndësi të madhe në të ardhmen, pasi falë analizave shumë komplekse, studiuesit ishin në gjendje të demonstronin ekzistencën te pacientët e të dy baktereve që favorizojnë dhe baktereve që kundërshtojnë këtë evolucion, duke krijuar kështu kushtet për një prognozë më të mirë ose më të keqe.

“Zbulimi ynë hap mundësinë e strategjive terapeutike, të cilat, falë manipulimit të mikrobiomës, mund të anulojnë zhvillimin e specieve bakteriale që prodhojnë androgjen. Ne tashmë jemi duke kërkuar partnerë industrialë të cilët janë të gatshëm të na japin një dorë për të verifikuar nëse kjo ëndërr është e prekshme”, thekson Alimonti./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.