MOSKË – Navalny nën akuza të reja për ekstremizëm

MOSKË, 28 shtator /ATSH-AFP/ – Desidenti i burgosur rus, Alexeï Navalny është në shënjestër të një hetimi të ri penal për “ekstremizëm”, një krim i dënueshëm me 10 vjet burg.

Hetimet kundër tij dhe disa bashkëpunëtorëve të ngushtë vijnë në prag të zgjedhjeve legjislative, të fituara nga partia e Vladimir Putin, pas një valë represioni për të përjashtuar pothuajse të gjithë kandidatët antiKremlin nga votimi.

Përkrahësit e Alexei Navalny-t nuk qenë në gjendje të merrnin pjesë në zgjedhje, me organizatat e tyre të ndaluara dhe të klasifikuara si “ekstremiste” në qershor.

I burgosur që prej fillimit të vitit, nën akuzën për mashtrim, që ai e konsideron të motivuar politikisht, Navalny dhe aleatët e tij tashmë akuzohen se kanë “krijuar dhe udhëhequr një organizatë ekstremiste” përmes luftës së tij kundër korrupsionit (FBK ) dhe tetë organizata të tjera.

Sipas Komitetit të Hetimit, i ngarkuar me hetimet kryesore penale, Navalny, nga 2014 deri në 2021,  ka dashur “të diskreditojë organet shtetërore dhe politikën e tyre, të destabilizojë situatën në rajone, të krijojë një dëshirë për protestë në mesin e popullatës dhe të bindë opinionin për nevojën e ndryshimit të pushtetit nëpërmjet dhunës ”.

Sipas hetuesve, protestat e paligjshme, që ai dhe aleatët e tij po organizonin përcillnin “thirrje për veprime ekstremiste dhe terroriste”.

Këto akuza, të dënueshme me 10 vjet burg, synojnë gjithashtu dy nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: Leonid Volkov dhe Ivan Jdanov./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.