Felaj, pjesë e takimit të kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor

TIRANË 28 shtator /ATSH-I.Vata/ Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj mori pjesë në takimin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt më datë 27 shtator 2021, në Ljubljanë, Slloveni, takim ky i organizuar në kuadër të Presidencës Sllovene të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Takimi, u kryesua nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorcic.

Takimi i kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor u mbajt sipas deklaratës së Samitit të Dytë BE-Ballkani Perëndimor, i cili u miratua në qershor të këtij viti në Bruksel, me shpresën se dimensioni parlamentar mund të ndihmojë Presidencën Sllovene të Këshillit të BE -së të arrijë me sukses një nga objektivat kryesore  të Presidencës Sllovene në rajonin e Ballkanit Perëndimor siç është ai i  përshpejtimit të procesit të zgjerimit  europian.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.