Sveçla-Çuçi: Bashkëpunim mes dy vendeve në dobi të qytetarëve nga të dy anët e kufijve

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi.

Në këtë takim, ministri Sveçla së pari, e uroi ministrin Çuçin për detyrën si dhe për Mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pas konstituimit të institucioneve.

Ai e falënderuar ministrin Çuçi për nënshkrimin e dy marrëveshjeve: Marrëveshjen e Trafikut Lokal të Kufirit si dhe për Marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës).

Ministri Sveçla theksoi se bashkëpunimi i dy vendeve tona po thellohet në shumë dimensione dhe në dobi të qytetarëve nga të dy anët e kufijve.

Ministri theksoi se dy vendet tona qëndrojnë të bashkuara si gjithmonë si në paqe, ashtu edhe në sfida të përbashkëta.

Gjithashtu ministri Sveçla theksoi se ministritë e Brendshme të të dy shteteve tona kanë më shumë se 20 marrëveshje, të cilat padyshim kanë qëllim lehtësimin e jetesës dhe zhvillimin e veprimtarisë së shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Në fund të takimit dy ministrat u zotuan ta vazhdojnë edhe në të ardhmen bashkëpunimin ndërmjet dy Policive të shteteve tona në fushën e sigurisë publike, në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.