Lindon Selahi po rigjen formën e mirë, shënon golin e parë në kampionatin kroat

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare ka gjetur rrugën e rrjetës këtë fundjavë.

Pas Nedim Bajramit, i cili ka shënuar golin e dytë me Empolin në Serinë A italiane, shijen e golit e ka provuar edhe Lindon Selahi.

Mesfushori kuqezi ka shënuar për herë të parë në kampionatin kroat me ekipin e Rijekës, ku u transferua gjatë merkatos së verës.

Selahi realizoi në minutën e 46-të të ndeshjes Gorica-Rijeka, pas një aksioni mjaft të bukur sapo kishte nisur pjesa e dytë, duke shënuar me një gjuajte me të djathtën në zonë dhe duke barazuar shifrat përkohësisht në 2-2. Mund të quhet një farë “derbi” kuqezi në kampionatin kroat pasi në radhët e Goricës aktivizohet edhe Albi Doka, i cili ashtu si edhe Selahi, e kishte nisur si titullar sfidën.

Në minutën e 71-të Doka është zëvendësuar, teksa edhe Selahi gjithashtu u zëvendësua në minutën e 80-të. Ndeshja përfundoi me fitoren 4-3 të Rijekës, që golin e fitores e shënoi në minutat shtesë.

22-vjeçari shqiptar duket se po rigjen formën e mirë pas transferimit në kampionat kroat, ku ka gjetur hapësira dhe ka luajtur rregullisht këtë sezon.

Lajm pozitiv për mesfushën e Kombëtares që ka vërtetë nevojë për lojtarë në formë në këtë fazë të rëndësishme të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.