Rehabilitimi i rrugës në Fermë Cërrik, përfitojnë 3 mijë banorë


TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, njëherazi drejtues politik i qarkut Elbasan, i shoqëruar nga kryetari bashkisë Cërrik, Andis Salla ka inspektuar nga afër punimet për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në lagjen nr.3, Fermë Cërrik.

Kreu i bashkisë Cërrik bëri të ditur se, asfaltimi i rrugës me gjatësi totale 480 ml dhe gjerësi 5 ml po bëhet me fondet e bashkisë dhe i jep zgjidhje një shqetësimi dhe problematike të komunitetit të zonës që pas viteve 90’ dhe me këtë investim përfitojnë rreth 3000 banorë rezidentë të kësaj  lagjeje.

“Ka qenë një prej premtimeve tona. Ky është një investim i domosdoshëm duke parë edhe numrin e banorëve që ka kjo lagje. Sot jemi në fazën e asfaltimit në të gjithë hapësirat e saj”, – u shpreh Salla.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri  ka përgëzuar kryetarin e bashkisë për këtë premtim të mbajtur dhe theksoi se qasja e PS-së është mbajtja e çdo premtimi të bërë përpara qytetarëve.

“Kam kënaqësi që rikthehem në Elbasan dhe Cërrik pas shumë vitesh dhe shoh një ndryshim kolosal me investimet e bëra qoftë në qendrën e Bashkisë, qoftë në lagjet të cilat kanë qenë të lëna mënjanë. Dua ta përgëzoj kryetarin e bashkisë së Cërrikut. Kjo do jetë qasja jonë, ato premtime që i kemi bërë do ti mbajmë”, – tha Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se “Partia Socialiste ka filluar një riorganizim për të qenë të gatshëm për zgjedhjet vendore dhe për tu thënë qytetarëve se premtimet e dhëna i mbajmë”.

“Jam i bindur që rrugën e mirë që kemi nisur do ta vazhdojmë. Dua të përgëzoj kryetarin e bashkisë për punën e bërë. Cërriku na ka mbështetur sepse shikon ndryshime çdo ditë”, tha Gjiknuri.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.