Plani Ekonomik i Investimeve, Muzhaqi: Rinia, rol parësor në adresimin e çështjeve kyçe për të ardhmen

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi sot domosdoshmërinë që të rinjtë të përfshihen në çdo hap të vendimmarrjes.

Muzhaqi diskutoi sot mbi Planin Ekonomik të Investimeve, në kuadër të Platformës Rinore të Ballkanit Perëndimor.

“Plani Ekonomik i Investimeve mbështetet në 5 shtylla kryesore: transport i qëndrueshëm, energji e pastër, mjedisi dhe klima, e ardhmja digjitale, sektori privat dhe kapitali njerëzor. Qartësisht në një pikë prerjeje të të gjitha këtyre fushave qëndron rinia dhe potenciali i jashtëzakonshëm që ata ofrojnë”, tha ajo.

Sipas Muzhaqit, “rinia ka një rol parësor në ngritjen dhe adresimin e çështjeve kyçe për të ardhmen e tyre”.

“Në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat për të rinjtë duhet të sigurojmë përfshirjen e tyre në çdo hap të vendimmarrjes”, tha Muzhaqi.

Gjatë bisedës, ajo diskutoi gjerësisht mbi planet për rininë me synimin për të ecur me hapa të shpejtë drejt një të ardhmeje digjitale.

“Programet tona për rininë parashikojnë të përgatisin të rinj të aftë për t’u përballur me sfidat bashkëkohore që na presin, ndaj fokusi ynë do të jetë në arsim, edukim jo formal, zhvillim të qëndrueshëm, ngrohje globale, digjitalizim, sipërmarrje e shumë të tjera. Mbi të gjitha theksova se rinia është jo vetëm e ardhmja por edhe e tashmja, e prandaj dua që çdo ditë, ne së bashku t’i frymëzojmë e ndihmojmë ata për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha ajo.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.