Përfundon procesi i legalizimit në Lanabregas, Tiranë

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Zona e Lanabregasit në Tiranë përfundon procesin e legalizimit.
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame shpërndau sot lejet e legalizimit për banorët e kësaj zone.

Kësaj radhe Kadastra Shqiptare përdori një metodikë të re në procesin e punës, duke e fokusuar vëmendjen për rreth 1 muaj në këtë zonë edhe përmes mbajtjes së një zyre të lëvizshme në territor gjatë gjithë kësaj periudhe.

Kjo u bë me qëllim që e gjithë zona të përpunohet në mënyrë shteruese dhe, nga ana tjetër, për të ndihmuar dhe asistuar qytetarët në të gjitha problematikat e tyre në çështjet e pronësisë.

Kjo eksperiencë e re dha rezultatet e veta të mira dhe në vijim do të zgjerohet më tej jo vetëm në Tiranë, por edhe në zona të tjera të vendit.

Në rastin e Lanabregasit u mbyll procesi i legalizimeve për rreth 410 objekte, ndërsa ajo që mbeti problem për këtë zonë është prania e rreth 45 objekteve pa leje të identifikuara në terren nga ana e punonjësve të kadastrës, por që rezultojnë të mos kenë kryer vetëdeklarimin asnjëherë.

Në këtë çështje, drejtori Lame u shpreh para banorëve që vetëdeklarimi është hapi i parë dhe i vetëm që kërkohet nga banori për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e tij për legalizimin dhe pa të cilin nuk mund të vijohet asnjë hap i mëtejshëm.

Pjesë e procesit të djeshëm në Lanabregas ishte edhe legalizimi i një pallati të ndërtuar që në vitin 2009 dhe braktisur nga subjekti ndërtues EMED Construction, pallat i cili ishte tërësisht i banuar. Nga procesi i legalizimit të tij përfituan 42 familje, banore të tij.

Megjithëse gjatë viteve të fundit në zonën e Dajtit dhe Qesarakës janë legalizuar rreth 75 pallate të braktisura nga ndërtuesit, ka ende shumë pallate që vuajnë këtë fenomen shoqërues të tranzicionit shqiptar.

Nga momenti i përfundimit të procesit të legalizimit, qytetarët janë të ftuar të aplikojnë në portalin e-Albania për të marrë në rrugë elektronike certifikatën e pronësisë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.