Njohje e pavarësisë, Rama: OKB, jo e plotë pa Kosovën

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u shpreh se, “kjo Asamble e madhe nuk është e nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës”.

“Procesi i integrimit europian përfaqëson një spirancë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ne presim me padurim Konferencën e Parë Ndërqeveritare në përputhje me vendimin e mëparshëm të Këshillit të BE për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. E kam thënë në Tiranë, në Bruksel dhe kudo dhe dua ta përsëris dhe këtu. Shqipëria ka kohë që është gati, ajo pret që BE-ja të bëjë pjesën e saj. Integrimi europian është një objektiv parësor kombëtar, është një aspiratë mbarë rajonale dhe burim frymëzimi në një rajon, në një kontekst rajonal të transformuar tërësisht me të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë rënë dakord të rrisin bashkëpunimin duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së”, tha Rama.

“Kemi hyrë në një fazë të re dhe ambicioze bashkëpunimi dhe po punojmë po kështu për të zbatuar konkretisht 4 liritë themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit përmes nismës “Ballkani i hapur”. Është shenja dhe prova e zotërimit që kemi ne të procesit si rajon për të gjeneruar rritje ekonomike, do të ulë papunësinë, do të rrisë tregtinë, investimin, punësimin në Ballkanin Perëndimor dhe së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, ta bëjë paqen të pakthyeshme dhe të ndihmojë në zgjedhjen e konflikteve njëherë e përgjithmonë”, theksoi Rama.

“Historia e Kombeve të Bashkuara është historia e një zgjerimi të pandërprerë. Nisi me 50 anëtarë në San Francisko dhe jemi tashmë 193 të tillë. Megjithatë sërish kjo Asamble e madhe nuk është e nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë sesa njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk është obsesion e as diçka thjesht sa për ta thënë për kauzën. Është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Europës, në Ballkanin Perëndimor, ku një shtet i ri lindi me ndihmën e  bashkësisë ndërkombëtare, e angazhuar për kauzën e lirisë e të drejtave të njeriut dhe të vetëvendosjes. Por kjo punë duhet të përfundohet dhe dua ta theksoj, ta përsëris këtë thirrje dhe e bëj këtë sepse realiteti na ka treguar ne kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, europianëve dhe kujtdo, kudo që ndodhet që do ta shohë se një Kosovë e pavarur, sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vjetësh e ka sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur dhe në mënyrë të pamohueshme është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

“Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen e ndërsjellë midis dy shteteve, dy fqinjëve. Çdo ditë pa një marrëveshje të tillë është një ditë e humbur, një ditë që u vidhet të rinjve në të dyja vendet, një ditë që i hiqet të ardhmes së përbashkët. Dhe e them miqësisht, por me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, u shpreh kryeministri Rama.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.