Ndryshimet klimaterike, Balluku në ministerialin P-TECC të Departamentit Amerikan të Energjisë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Ministerialin e Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës (P-TECC) të zhvilluar në Poloni dhe të organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë.

Balluku bëri të ditur se takimi kishte në fokus bashkëpunimin strategjik mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara, për masat e menjëhershme dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për reduktimin e dëmit që shkakton ndryshimi klimaterik një pjesë e konsiderueshme e mënyrave të prodhimit të energjisë.

Ministrja ndau me të pranishmit përvojën e Shqipërisë sa i takon diversifikimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Në ministerialin e P-TECC, organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, diskutuam për bashkëpunimin strategjik mes vendeve evropiane dhe SHBA, për masat e menjëhershme dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për mitigimin e dëmit që shkakton ndryshimin klimaterik një pjesë e konsiderueshme e mënyrave të prodhimit të energjisë. Në fokus të veçantë ishte dhe siguria energjetike. Ndava me kolegët e mi në panelin ministerial eksperiencën e Shqipërisë për diversifikimin e burimeve të rinovueshme dhe sigurinë energjetike që tashmë është kërkesë dhe aksion i përhershëm për të gjithë infrastrukturën kritike në fushën energjetike”, u shpreh ministrja Balluku.

Nisma P-TECC u krijua si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në ekonomi të pastra, neutrale ndaj karbonit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.