Më shumë se gjysma e eksporteve shqiptare drejt Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Tre nga partnerët kryesorë si për eksportet, ashtu edhe për importet për vitin 2020, janë Italia, Greqia dhe Gjermania, duke zënë rreth 56,2 % të eksporteve shqiptare dhe 41,8 % të importeve shqiptare.

INSTAT publikoi së fundmi raportin “Shqipëria në shifra” sipas të cilit në vitin 2020 volumi tregtar i mallrave është ulur me 7,5 % krahasuar me 2019, duke patur një ulje vjetore për eksportet rreth 9,0 % dhe 6,8 % për importet.

Grupet më të rëndësishme të mallrave që eksporton Shqipëria janë tekstile dhe artikuj tekstile, veshjet e këmbëve dhe produktet minerale.

Në vitin 2020 këto grupe kanë zënë respektivisht 20,8 %, 16,8 % dhe 14,7 % të eksporteve gjithsej.

Grupet më të rëndësishme të mallrave që importon Shqipëria janë makineri e pajisje mekanike dhe elektrike dhe tekstile dhe artikuj tekstile. Në vitin 2020 këto grupe kanë zënë respektivisht 15 % dhe 10,5 % të importeve gjithsej.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.