COVID-19 – Johnson&Johnson: Të dhëna të favorshme për dozën përforcuese të vaksinës

UASHINGTON, 24 shtator /ATSH-AFP/ – Një dozë përforcuese rrit efektivitetin e vaksinës Johnson&Johnson kundër COVID-19, sipas të dhënave të reja të lëshuara nga kompania.

Vaksina e J&J u krijua, fillimisht, si një vaksinë me një dozë të vetme.

Por me një dozë të dytë të injektuar rreth dy muaj (56 ditë) pas së parës, nivelet e antitrupave të vëzhguar shumëzohen “me katër deri në gjashtë”, sipas një deklarate nga kompania farmaceutike amerikane.

Efikasiteti i vaksinës kundër rasteve simptomatike të sëmundjes, të paktën 14 ditë pas injektimit të kësaj doze përforcuese, ishte atëherë 75 për qind dhe 100 për qind kundër rasteve të rënda, sipas të dhënave nga një provë klinike e kryer në disa vende, mes personave të moshës 18 vjeç e lart.

Në SHBA, efikasiteti kundër rasteve simptomatike (të moderuara në të rënda) u rrit në 94 për qind me këtë dozë përforcuese.

Për krahasim, sipas të dhënave të fundit nga prova klinike fillestare për një dozë të vetme vaksine, efektiviteti i ilaçit në SHBA, kundër rasteve simptomatike, ishte 70 për qind.

Për më tepër, nivelet e antitrupave rriten më tej kur doza e dytë jepet pas gjashtë muajsh nga e para: ato më pas shumëzohen me nëntë që në fillim të një jave pas injektimit dhe me 12 pas katër javësh./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.