Rinas, tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara, në pranga 3 shtetas

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ 3 shtetas janë vënë në pranga pasi tentuan të kalonin kufirin në Rinas me dokumente të falsifikuara.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas si rezultat i masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë,  kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasit P. C, A. K, dhe E. H, të cilët do të udhëtonin me linjën ajrore, me destinacion Bolonjën, Itali.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 letërnjoftimi italiane, 3 patenta italiane si dhe 3 dokumente shëndetësore italiane, të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit P. C., 25 vjeç, A. K., 19 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.