Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, hua kryesisht në monedhën vendase

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Huamarrja e ndërmarrjeve kryhet vetëm në monedhën vendase për 60 % të ndërmarrjeve të vogla, 65 % të ndërmarrjeve të mesme dhe 45 % të ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa pjesa tjetër është në valutë dhe/ose e kombinuar.

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e vrojtimit mbi gjendjen financiare të ndërmarrjeve, sipas të cilit, “huamarrja në valutë, kryesisht në euro, rezulton më e përdorur nga ndërmarrjet e mëdha (rreth 41 %) dhe më pak nga ndërmarrjet e vogla e të mesme (përkatësisht 36 % dhe 31 % e tyre)”.

Sipas BSH-së, vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për rreth 74 % të totalit të ndërmarrjeve huamarrëse dhe pothuaj e njëjtë me vlerën e kapitalit për 13 % të tyre.

Të analizuara sipas madhësisë, raporti “hua/kapital”ka rezultuar më i lartë te ndërmarrjet e vogla e të mesme, ku përkatësisht 26 % dhe 34 % e tyre shprehen se ky raport është i barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit, duke nënkuptuar një ngarkesë më të lartë me  borxh. Për gjashtëmujorin e parë të 2021, ky raport është rritur për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve.

“Në nivel sektorial, ngarkesa me borxh është rritur për të gjithë sektorët e analizuar dhe paraqitet më e lartë tek ndërmarrjet e sektorit të ndërtimit dhe ato të tregtisë”, bën të ditur BSH-ja.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.