KIEV – Ukraina miraton ligjin antioligarkë

KIEV, 23 shtator /ATSH-AFP/ – Ukraina miratoi sot një ligj me shpresën për të frenuar ndikimin e oligarkëve, si pasojë e një atentati ndaj një këshilltari presidencial, për të cilin autoritetet thonë se mund të jetë i lidhur me luftën kundër këtyre personave të fuqishëm.

“Legjislacioni synon të parandalojë rreziqet për sigurinë kombëtare të lidhura me ndikimin e tepërt të “oligarkëve” në këtë vend, një nga më të varfërit në Evropë”, thuhet në tekstin e ligjit, i botuar në faqen zyrtare të Parlamentit.

Ky dokument u nxit nga presidenti Volodymyr Zelensky, i cili këtë vit shpalli një fushatë për të luftuar fuqinë e ushtruar në hije nga këta biznesmenë jashtëzakonisht të pasur, të akuzuar për shfrytëzimin e paturpshëm të ekonomisë së kësaj ish-republikës sovjetike dhe për të blerë zërat e medieve dhe klasës politike.

“Ukraina është e hapur për bizneset e mëdha, por jo për ndikimin e oligarkëve te zyrtarët, politikanët dhe mediet”, shkroi Zelensky në Tëitter.

“Sot ne kemi ndërmarrë edhe një hap për ta hequr qafe atë”, shtoi ai.

Sipas tij, ligji u miratua pavarësisht “presionit” dhe “shantazhit” ndaj deputetëve pa i specifikuar këto akuza./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.