Tirana, qyteti me çmimet më të mira të Evropës për pushuesit britanikë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Tirana është listuar e para ndër kryeqytetet më të përballueshme europiane për të kaluar një fundjavë. “Post Office Travel Money” analizoi çmimet në 40 qytete të ndryshme evropiane për Barometrin vjetor të kostove të qytetit, ku Tirana renditet në krye si qyteti me çmimet më të mira të Evropës për pushuesit britanikë.

Studimi britanik, i cili është publikuar edhe në mediet vendase, ka arritur në këtë përfundim pasi krahasoi koston e artikujve tipikë të pushimit në 40 qytete të ndryshme, duke përfshirë një sërë pijesh, një darkë me verë për dy persona, akomodimin dy netë në një hotel me tre yje, si dhe shëtitjet në qytet dhe vizitat në atraksione të ndryshme turistike, si muzetë dhe galeritë.

Studimi zbuloi se kostoja përfundimtare që dy personave do t’u duheshin për të kaluar një fundjavë në Tiranë ishte vetëm 132.41 paund.

Qyteti i dytë më i lirë është renditur Katovica, e ndjekur nga Vilnusi në vendin e tretë, Lisbona dhe Riga që mbyll Top 5. I fundit në listë, pra qyteti më i shtrenjtë europian për të kaluar një fundjavë, është Oslo në Norvegji.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.