Zgjerohet mbështetja për peshkimin në programin IPARD III

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Peshkimi do të përfshihet në masat mbështetëse të Programit IPARD III.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bën të ditur se, “në programin IPARD III, për të cilin do të marrim akreditimin shumë shpejt dhe brenda vitit 2022 ky program fillon zbatimin, do të përfshijmë në mbështetje edhe sektorin e peshkimit”.

Në programin IPARD III, qeveria shqiptare rrit vlerën e financimit në 146 milionë euro, duke e çuar në një stad të ri nivelin e investimeve në bujqësi dhe të mbështetjes së fermerëve dhe sipërmarrjeve rurale me grante, në kushtet kur fermerët shqiptarë kanë mësuar të aksesojnë fondet e BE-së.

Lidhur me mbështetjen për peshkimin Krifca vuri në dukje se, “mbështetja për sektorin e peshkimit do të vijë nëpërmjet një sistemi fiskal, ku TVSH-ja zerohet për 27 zëra doganore të peshkimit, nga rrjetat e peshkimit, motorët etj.”.

“Synimi është rritja e kuotave të eksporteve drejt BE-së për açugen e përpunuar. Industria  përpunuese e peshkimit është pjesë e programit IPARD III me 146 milionë euro, gjë që nuk ka qenë më parë. Ndërkohë që synojmë forcimin e infrastrukturës portuale përmes investimeve në merkatot e peshkut, akuakulturë dhe nxitjen e kultivimit të troftës, që është mjaft e kërkuar nga tregjet e huaja”, tha Krifca.

Në 7-mujorin e vitit 2021 eksportet e produkteve të peshkut janë rritur me 29,3 %.

Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut.

Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2013 u eksportuan 1705 tonë, ndërsa në 2020 8219 tonë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.