Specie në rrezik, shpëtohet breshka e detit në lagunën e Patokut

TIRANË 21 shtator /ATSH-I.Vata/ Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë solli sot momente nga shpëtimi i një breshke deti që kishte ngecur në rrjetën e peshkatarëve.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë së bashku me stafin e HAS (Herpetofauna Albanian Society) morën njoftim për një breshkë deti (Caretta caretta), e cila kishte ngecur në rrjetat e peshkatarëve në lagunën e Patokut.

“Menjëherë pas marrjes së raportimit shkuam në zonë për të shpëtuar breshkën e cila u çua në qendrën e Kërkimit dhe Ndihmës së Parë të breshkave detare në Patok. Pas rehabilitimit të saj, kjo breshkë u markua dhe u lëshua përsëri në det”, thuhet në njoftim.

Prej vitesh ekspertët kanë nisur projektin studimor mbi folezimin e breshkave detare në brigjet shqiptare dhe ato të Mesdheut, në kushtet e faktorëve të shumtë që rrezikojnë mbijetesën e tyre.

Breshkat e detit janë specie shumë të vjetra, duke datuar që nga koha e dinosaurëve dhe kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët tona.

Në detin Mesdhe takohen tre nga shtatë llojet e tyre – Caretta caretta Chelonia mydas dhe shumë rrallë Dermochelys coriacea. Përveç ndryshimeve klimatike, mbijetesa e tyre rrezikohet edhe për shkak të urbanizimit dhe ndërtimit të pakontrolluar të zonave bregdetare, peshkimit apo ndotjes.

Një rol shumë të rëndësishëm në studimin dhe konservimin e habitatit të tyre ka luajtur dhe organizata MEDASSET, aktive prej vitit 1983 dhe tashmë me bazë në Greqi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.