Elbasan, aksidentoi punonjësin e Policisë, në pranga 31-vjeçari

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Një 31-vjeçar në Elbasan është vënë në pranga pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar aksidentoi punonjësin e policisë.

Rreth orës 21:45, salla operative e Policisë Librazhd është njoftuar nga salla e Komisariatit të Policisë Pogradec, se mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin B. L., nuk i ishte bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Pogradec për të ndaluar, por kishte vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Librazhdit.

Me marrjen e njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pikë kontrolli në aksin rrugor Përrenjas-Pogradec. Drejtuesi i mjetit tip “Audi”, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, përsëri nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Patrullës së Përgjithshme, shtetasin S. H., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në ndjekje të automjetit janë vënë shërbimet e tjera të Policisë dhe në qytetin e Librazhdit është bërë i mundur ndalimi i tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasi B.L, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasin Sh. P., 60 vjeç, banues në Elbasan, pasi po restauronte magazinën e tij pa lejen e organeve kompetente dhe punonjësi që kryente punimet është rrëzuar nga skela dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.