Përfundon faza e parë e regjistrimeve në Universitetin e Tiranës, rektori Hoxha: Plotësohen 64 % e kuotave

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Në Universitetin e Tiranës ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve, ku janë plotësuar 64 % e kuotave.
Lajmi u bë i ditur nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, i cili në një komunikim me mediet theksoi se “është i njëjti trend në kërkesa për të studiuar në universitetin më të madh në vend, madje ka një rritje modeste të aplikimeve këtë vit. Për 5133 vende, këtë vit akademik kanë aplikuar 58,472 maturantë dhe në fazën e parë janë përmbushur 64 % e kuotave”.
Rektori Hoxha tha se “ka vazhduar e njëjta tendencë edhe si vitin e kaluar, lidhur me preferencat. Në krye janë degët Informatikë Ekonomike, Informatikë, Financë, Drejtësi, Teknologji Informacioni, Gjuhë angleze, Gjuhë gjermane etj. Ndërkohë që vazhdon trendi i interesit të ulët për disa degë si Kimi, Fizikë, Filozofi dhe disa gjuhë të huaja si gjuha ruse apo gjuha greke, që edhe këtë vit nuk do të hapen për mungesë të studentëve”.
Sipas tij, për degët e mësuesisë, janë forcuar kriteret e pranimit nga qeveria, si përpjekje për të rritur nivelin profesional të mësuesve.
“Por ndërkohë, ky profesion do të duhet të shikohet më me interes për shkak të politikave stimuluese në rritjen e pagave”, shtoi Hoxha.
Prof. dr. Artan Hoxha tha se “Universiteti i Tiranës vazhdon të mbetet institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend”.
Ai pohoi se po punohet fort për të krijuar një komunikim më intensiv mes këtij institucioni dhe universiteteve të huaja për të krijuar më shumë mundësi shkëmbimi për profesoratin dhe studentët që duan të kryejnë një pjesë të studimeve në universitete jashtë vendit. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.