SHBA – 650 000 flamuj të bardhë në nderim të viktimave të Covid-19

ROMË, 18 shtator /ATSH-ANSA/ – Një ”det” me mbi 650 000 flamuj të bardhë për të kujtuar viktimat e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është instalacioni i artistes Suzanne Brennan Firstenberg i përuruar dje në National Mall, në Uashington, para simbolit të obeliskut të kryeqytetit.

Në flamujt, të cilët do të jenë të dukshëm për 17 ditët e ardhshme, familja dhe miqtë e atyre që kanë vdekur nga koronavirusi do të jenë në gjendje të shkruajnë mesazhe.

“Kur numrat rriten kaq shumë, është e vështirë t’i kuptosh me të vërtetë, si artiste kam dashur t’i bëj ata numra më konkretë”, tha Firstenberg për ABC, e cila kishte krijuar një instalacion të ngjashëm në tetor të vitit të kaluar, por me 200 000 flamuj.

Në ditën e përurimit të veprës numri i viktimave ishte 670 000, sipas të dhënave nga universiteti ”Johns Hopkins”.

Që nga fillimi i pandemisë, një në 500 amerikanë ka vdekur nga koronavirusi./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.