Porti i ri i Durrësit dorëzohet brenda këtij mandati

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Objektivi strategjik i qeverisë shqiptare për zhvillimin e transportit detar është ridimensionimi i infrastrukturës portuale dhe transportit detar, përmes zgjerimit të zonave portuale, komplementimit me zona të zhvillimit ekonomik, zhvillimit dhe specializimit të porteve ekzistuese sipas sektorëve ekonomik primarë ku operojnë, si dhe përmes shtimit të strukturave të specializuara për akomodimin dhe ofrimin e shërbimeve për mjetet lundruese turistike, transportit të mallrave dhe atyre të pasagjerëve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku teksa prezantoi objektivat për zhvillimin e sektorit të transportit detar tha se gjatë mandatit të kaluar qeveria hodhi themelet për zhvillimin e projekteve që do të ndryshojnë rrënjësisht faqen e transportit detar, pasi vendit nuk mund t’i shërbejnë më portet ekzistuese me infrastrukturë të amortizuar e të orientuar vetëm ndaj peshkimit e mallrave, për më tepër të vendosura në zona pak të banuara dikur, por që sot janë kthyer në zemra të qyteteve.

Lidhur me Portin e Durrësit, Balluku informoi se “jemi në fazën e garës për projektin e detajuar që përfundon në tetor për të nisur dhe garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit që do të vendos dhe kohë limiti 36 muaj për ndërtim”.

Porti i ri i Durrësit, informoi ajo, do të dorëzohet brenda këtij mandati.

Sipas Ballukut, faza e parë e portit ekzistues të Durrësit do të përfshijë edhe ndërtimet me destinacion turistik por edhe marinën elitare, për të cilën bazuar në një marrëveshje qeveritare mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara, ka nisur puna.

Ndërkohë, Porti i Vlorës ndryshon destinacion për t’u lidhur dhe me vazhdimin e Lungomares dhe kthehet në një port jahtesh.

Porti tregtar zhvendoset në zonën e Triportit dhe do të integrohet dhe me portin e peshkimit.

“Ndërtimi i Triportit dhe i portit të ri në Porto Romano do të shoqërohen me paketë infrastrukturore mbështetëse që ka të bëjë me rrugët, nënstacionet elektrike, por kemi parashikuar dhe mbështetjen e lëvizjeve hekurudhore në paketa që janë bërë publike”, deklaroi ministrja Balluku.

Kjo qasje e studiuar sa i përket zhvillimit të porteve, u shpreh Balluku, do të rezultojë shumë shpejt në një nxitje të fortë ekonomike jo vetëm për qytetet, por për gjithë Shqipërinë e rajonin. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.