Mbledhja e parë e mandatit të tretë, Rama: Çdo anëtar i kabinetit do respektojë Kodin Etik

 

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot mbledhjen e parë të qeverisë në këtë mandat të tretë ku kërkoi respektimin e Kodit Etik të Këshillit të Ministrave nga çdo anëtar i kabinetit.

“Çdo anëtar i kabinetit duhet të zotohet këtu publikisht për respektimin me besnikëri në frymë dhe në germë të Kodit Etik duke marrë kështu edhe para publikut përgjegjësinë personale të zbatimit të tij”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit teksti i Kodit Etik është miratuar që në shtator të vitit 2013 si dokument parimesh që përcaktojnë vijën e sjelljes së anëtarëve të qeverisë.

“Kodi është në fuqi. Jo vetëm puna por edhe sjellja publike e anëtarëve të kabinetit të qeverisë duhet të jetë sa më e njehsuar me pritshmërinë e qytetarëve ndaj nesh që ata na kanë besuar shërbimin e lartë të qeverisjes së vendit”, tha Rama.

Sipas Ramës, ky Kod Etik nuk është vetëm një kornizë normash të përgjithshme etikë në letër, por një mënyrë jetese me detyrën publike të çdo ministri në respekt të qytetarëve

Rama paralajmëroi zero tolerance për këdo që shkel Kodin e Etikës, ndërsa për këdo që përsërit shkelje të tij tha se do të duhet të jap dorëheqjen.

“Nëse nuk respekton një pikave të Kodit të Etikës, ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë publike. Në rast përsëritje duhet të jap dorëheqjen. Kjo kornizë vlen njësoj edhe për mua, se kam pasur problem ta respektoj 8 vite nuk do ta kem që ta respektoj edhe 4 të tjera”, deklaroi Rama.

Rama tha se një tjetër shkelje etike në mandatet e shkuara ka qenë dalja e pakonceptueshme në disa raste e ministrave nga fryma e kolegjialitetit të vendimmarrjes në qeveri, me letra individuale dërguar komisioneve të Kuvendit, apo qëndrime individuale për mosdakordësi në gjëra të vendosura bashkërisht këtu, për t’u shqyrtuar për miratim përfundimtar atje.

“Në çdo Kod Etik të çdo qeverie demokratike kjo konsiderohet thyerje e rëndë e vijës së sjelljes së një qeverie”, deklaroi Rama. Sipas tij, është absurde që një ministër të kundërshtojë vendimmarrjen e qeverisë me argumentin se është cenuar sektori i tij.

“Ka vetëm një sektor për të cilin punon e gjithë qeveria. Ky sektor është Shqipëria. Shqipëria ka vetëm një buxhet dhe ky është buxheti i Republikës së Shqipërisë“, u shpreh Rama.

Rama u ndal edhe në komunikimin që do të ketë me opozitën në 4 vitet në vijim.

“Ne nuk do t’u përgjigjemi më në formatin e vjetër fletërrufeve të konferencave të shtypit të opozitës. Është një format që e ka derdhur me kohë kupën e durimit të popullit, me akuza e kundër akuza, me politikë për politikë, që ta neverit vetë politikën, ndërkohë që politika nuk ka lindur si një mollë ekskluzive sherri mes politikanëve, por si e vetmja mundësi që qeniet njerëzore të bëhen së bashku për të mirën e shoqërisë, gjë të cilën të vetmuar nuk kanë si e bëjnë“, deklaroi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.