Kombinimi i imunoterapive përmirëson mbijetesën nga kanceri

ROMË, 18 shtator /ATSH-ANSA/ – Kombinimi i imunoterapive përmirëson mbijetesën në lidhje me llojet e ndryshme të kancerit.

Rreth 48 për qind e pacientëve me kancer në veshka, të trajtuar në vijën e parë me kombinimin e molekulave imunoterapike, nivolumab dhe ipilimumab, janë gjallë edhe pas pesë vjetësh, një rezultat i rëndësishëm për këta pacientë.

Dhe, në lidhje me mesoteliomën, 23 për qind janë gjallë edhe pas tre vjetësh, sërish falë kësaj qasjeje në pacientë që nuk ishin trajtuar më parë.

Edhe ky është një rezultat që onkologët e përcaktojnë si “unik”.

Të dhënat vijnë nga studimet CheckMate -214 dhe CheckMate -743, të paraqitura në Kongresin e Shoqërisë Evropiane të Onkologjisë Mjekësore (ESMO) dhe të detajuara në një konferencë shtypi virtuale të sponsorizuar nga Bristol Myers Squibb.

“Mbi 50 për qind e pacientëve me sëmundje të hershme shërohen”, thonë ekspertët.

Megjithatë, 30 për qind arrijnë në diagnozën tashmë në një fazë të avancuar dhe, në një të tretën, sëmundja mund të përsëritet në formë metastatike pas operacionit.

Historikisht, mbijetesa 5-vjeçare në sëmundje të avancuar ose metastatike nuk e kalonte 13 për qind.

Sot, megjithatë, falë kombinimit të dy molekulave imuno-onkologjike, pothuajse gjysma janë gjallë edhe pas pesë vjetësh.

Studimi i Fazës 3 CheckMate -214 përfshiu 1 096 pacientë.

Kombinimi i imunoterapisë përmirëson dhe zgjat ndjeshëm jetëgjatësinë afatgjatë të këtyre pacientëve.

Kombinimi, gjithashtu, tregoi përmirësime në mbijetesën e përgjithshme në gjashtë studime të Fazës 3 që përfshinin pesë kancere të ndryshme: përveç karcinomës së qelizave renale, kancerit të mushkërive me qeliza jo të vogla, melanomës, kancerit esofagal dhe mesotelioma pleurale./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.