FOTO-Parku Korab-Koritnik jo vetëm streha e turistëve, por edhe kënd edukimi për natyrën

TIRANË 18 shtator /ATSH-I.Vata/ Parku Natyror Korab-Koritnik përveç turistëve dhe pushuesve të shumtë që e zgjedhin si një parajsë të turizmit malorë, janë fëmijët që e kanë kthyer atë në një kënd edukimi për natyrën.

Lajmi bëhet i ditur nga Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri e cila informon se, “programi i edukimit të projektit “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit” PA4NP, pas një implementimi te suksesshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, u zhvendos në Parkun Natyror Korab-Koritnik”.

Fillimisht, ekipi ynë i edukimit trajnoi në teori stafin e ADZM Dibër dhe Kukës, dy institucionet përgjegjëse për menaxhimin e vlerave natyrore të këtij parku të shtrirë midis dy qarqeve. Këto trajnime u pasuan nga sesioni praktik me dy ekspedita në terren, ku fëmijët e Shkollës së Mesme të Bashkuar Sllovë patën mundësi të vizitojnë fshatin Shishtavec dhe liqenin e Novosejës, ndërsa ata të Shkollës së Mesme të Bashkuar Shishtavec vizituan Radomirën dhe liqenin e zi.

Një formë e tillë shkëmbimi u realizua në mënyrë që fëmijët të kuptonin shtrirjen e gjerë gjeografike të këtij parku, i cili mbart një shumëllojshmëri vlerash të biodiversitetit.

Gjatë të dy ekspeditave, përtej eksplorimit të natyrës, fëmijët dhe pjesëmarrësit e tjerë u angazhuan në një mori lojërash edukative, të cilat kanë për qëllim forcimin e lidhjes midis fëmijëve dhe natyrës, si dhe marrjen e njohurive nëpërmjet argëtimit.

Parku Natyror Korab-Koritnik është zona e mbrojtur më e madhe në Shqipëri deri në vitin 2017 dhe quhet si “çatia” e Shqipërisë. Peizazhi alpin me vargmalet Koritnik – Gjallicë – Korab – Deshat e bëjnë këtë zonë një të larmishme ku majat ngjiten e ulen deri në lugina dhe pllaja pa fund.

Parkut Natyror Korab-Koritnik përfshin shumë habitate natyrore të jashtëzakonshme me pisha, ah dhe me bredh të bardhë, bimësi të dendur, florë dhe faun të jashtëzakonshme, por kësaj radhe është bërë kopshti i fëmijëve për të mësuar më shumë për natyrën. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.