STRASBURG – PE pro programit të posaçëm të vizave për gratë afgane

STRASBURG, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Deputetët europianë i bënë thirrje BE-së të krijojë një program të veçantë vizash për gratë afgane, të cilat kërkojnë të shpëtojnë nga sundimi taleban.

Në një rezolutë të miratuar me 536 vota pro, 96 kundër dhe 50 abstenime, ata i bëjnë thirrje “Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare të punojnë së bashku për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të BE-së dhe afganëve në rrezik, veçanërisht me anë të korridoreve të sigurta”.

Parlamenti Evropian “mirëpret” organizimin nga ana e Komisionit Evropian të një forumi në fund të shtatorit për refugjatët afganë dhe konsideron se “strategjia e Bashkimit duhet të sigurojë si përparësi përgjithësimin e zhvendosjes së atyre që janë më në rrezik dhe më të cënueshëm, si edhe të rrugëve të tjera plotësuese, të tilla si dhënia e vizave humanitare dhe një program i veçantë vizash për gratë afgane, të cilat kërkojnë të ikin nga regjimi taleban”.

PE “nxit shtetet anëtare të rivlerësojnë, në dritën e ngjarjeve të fundit, kërkesat në pritje për azil dhe kërkesat e marra kohët e fundit, përfshirë kërkesat e refuzuara” dhe “thekson se nuk duhet të ketë kthime me forcë në Afganistan, pavarësisht nga rrethanat”.

Në një takim në fund të gushtit, ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të BE-së ranë dakord të mbështesin vendet fqinje të Afganistanit për pritjen e refugjatëve, nga frika e një fluksi migrues në BE, i krahasueshëm me atë të vitit 2015./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.