Manja: Konsensus me opozitën për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut


TIRANË 16 shtator /ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot se “Reforma në Drejtësi është prioritet i qeverisë në mandatin e tretë të saj dhe do të kërkojmë konsensusin e opozitës për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti në Kuvend i cili ngriti problemin e mbarimit të mandatit të KPK, Manja tha se Reforma në Drejtësi dhe konsolidimi i sistemit të ri në Shqipëri do të vazhdojë edhe gjatë kësaj legjislature dhe do të jetë në toplistën e prioriteteve të qeverisë Rama 3.

“Është e vërtetë, mandati i organeve të Vetingut është mandat kushtetues. Kushtetuta ka përcaktuar qartë se për tre organet e Vetingut: Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Komisionerin Publik, dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, mandati i KPK dhe KP është 5 vjet nga dita e ushtrimit të funksioneve, ndërsa KPA e ka afatin 9 vite. Referuar momentit kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik kanë filluar ushtrimin e detyrës, mandati i tyre mbaron më 17 qershor 2022”, tha ai.

Manja shtoi se janë 801 subjekte në total për t’u rivlerësuar. Ecuria e deri tanishme e procesit të Vetingut është e tillë: janë 431 subjekte të vetuara dhe mbeten në proces 370.

“Për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi si dhe për të ruajtur standardet e arritura kushtetuese dhe ligjore, tashmë të certifikuara jo vetëm nga eksperienca e organeve të Vetingut, por dhe të konfirmuara edhe me vendime të Gjykatës së Strasburgut, ne mendojmë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me bashkautorët tabu të  Reformës në Drejtësi SHBA/BE që ky proces të përfundohet nga organet e Vetingut”, tha ai.

Po ashtu, Manja tha se “ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës që mandati i KPK dhe i KP të zgjatet deri në përfundim të procesit të Vetingut, pra deri në vetimin e plotë të të gjitha subjekteve të shortuara, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”, tha Manja.

“Ky është mandat kushtetues dhe sigurisht zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Ne nuk i kemi votat e nevojshme për të ndërhyrë në Kushtetutë për ta zgjatur mandatin e KPK dhe KP do të kërkojmë konsensusin e opozitës, sepse për ne mbarimi me sukses i procesit të Vetingut si një nga shtyllat kryesore në sistemin e drejtësisë, është garanci për të patur një sistem drejtësie të konsoliduar”, tha në fund ministri Manja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.