Ikona e muzikës greke ndez atmosferën në amfiteatrin e Liqenit me këngë arbëreshe

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Ikona e muzikës greke, Glykeria solli sonte një atmosferë fantastike në parkun e Liqenit.

“Lule lule” dhe “Moj e bukura More”, dy këngë të mirënjohura arbëreshe u pritën me mjaft entuziazëm nga publiku i shumtë i mbledhur në Amfiteatrin e Tiranës.

Me një bandë prej 14 muzikantësh, enkas për në Tiranë, drejtuar nga kompozitori dhe muzikanti shqiptar Dasho Kurti, i cili është dhe koncertmaestër i Janis Parios Jorgo Dallaras, Glykeria ndezi atmosferën me një program plot surpriza, ku si asnjëherë më parë në një koncert me muzikë greke u këndua edhe shqip dhe u luajtën disa melodi të miksuara shqiptare dhe greke.

Glykeria është një këngëtare e rrallë me një repertor të pariprodhueshëm për shkak të cilësisë së lartë artistike dhe vokalit karakteristik të saj. Ajo është cilësuar edhe si këngëtarja e preferuar e të madhit Teodorakis, “babai” i muzikës greke, i cili ka kompozuar dhe 70% të këngëve të saj.

Glykeria njihet edhe si këngëtarja më internacionale pasi gjysmën e kalendarit vjetor gjendet në ture të ndryshme nëpër botë, nga Australia në Canada e ShBA, Angli dhe në të gjithë Europën. Për Shqipërinë ajo ka një ndjesi totalisht pozitive dhe jo rastësisht njerëzit më të afërt me të cilët ajo bashkëpunon janë shqiptarë.

Glykeria është fituese edhe e shume trofeve të rëndësishëm në Greqi dhe jashtë saj. Është cilësuar dhe një nga 5 këngëtaret më të mira në historinë e këngës popullore greke.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.