Vigjilja e mbrëmjes gala për hapjen e TKOB, homazh për të gjitha viktimat e COVID-19

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit hap dyert pas rikonstruksionit total të tij me një mbrëmje gala, ku do të performojnë zëra të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Në vigjilje të hapjes, dekori i TKOB flet edhe për një aspekt tjetër. Lule të bardha janë vendosur në hyrjen e institucionit në nderim të viktimave të pandemisë.

Kryeministri Edi Rama solli këtë mbrëmje pamje nga përgatitjet për mbrëmjen e madhe.

“Vigjilja e hapjes së Teatrit të rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit me homazhin për të gjitha viktimat e Covid19”, u shpreh Kryeministri.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, pas 60 vitesh ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit. Teatri i Rilindur ngre perden e skenës mbrëmjen e 15 shtatorit, ku do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës.

“Grand Gala” do të hapet me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Placido Domingos dhe Ermonela Jahos.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi, ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.