Vetingu, KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Gjirokastrës, Julian Çafka

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Julian Çafkën, drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 10 shtator për subjektin e rivlerësimit, Julian Çafka vendosi konfirmimin e tij në detyrë.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi relatore dhe Roland Ilia anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ky vendim,me përjashtim të  pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Çafka e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Sarandës në vitin 2008. Në vitin 2013 ai është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ai mban aktualisht funksionin e drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.