Skema mbështetëse e librave falas, Kushi sjell momente nga shpërndarja në shkolla

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Në të gjithë vendin vijon shpërndarja e librave falas për nxënësit e klasave 1-9 dhe për nxënësit e kategorive në nevojë të klasave 10-12.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila deklaroi sot se nga skema mbështetëse e qeverisë shqiptare, këtë vit shkollor përfitojnë 280 mijë nxënës.

Ajo tha se “në shkolla të ndryshme të vendit vijon shpërndarja e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 dhe nxënësit e kategorive në nevojë mes klasave 10-12″.

“Falë kësaj skeme mbështetëse nga ana e qeverisë shqiptare, këtë vit shkollor është 280 mijë numri total i nxënësve përfitues duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e barrës financiare të familjeve shqiptare, si dhe duke pajisur nxënësit me botimet më prestigjioze të “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”, tha ajo.

Krahas librave falas, qeveria gjithashtu ka rritur financimet për arsimin parashkollor në dispozicion të bashkive, për të mundësuar uljen e numrit të vajzave dhe djemve në klasat e kopshteve e shkollave.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.