Shpallet gara për ndërtimin e rrugës Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Rruga Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë do të nisë shumë shpejt ndërtimin.

Deputeti i Partisë Socialiste, Benet Beci bëri të ditur rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi (Krajë) është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës.

“Është shpallur gara për kompaninë e ndërtimit që do të zbatojë projektin dhe më datë 10 tetor do të hapen ofertat. Rruga është rreth 6 km, 6 metra e gjerë me korsi biçiklete dhe trotuar për këmbësorët. Projekti është përgatitur nga bashkia Shkodër, do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të financohet nga një kredi që qeveria shqiptare ka marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant nga Bashkimi Evropian”, tha Beci.

Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë një vit projektesh të rëndësishme që do ta transformojnë në një zonë plotësisht turistike siç i takon bregut të liqenit të Shkodrës. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.