Qeveria e re, Xhafaj: Kapitull i ri në sfidat më të mëdha aktuale

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputeti i PS-së, Etjen Xhafaj deklaroi sot se formacioni i qeverisjes është ekipi që do ta çojë Shqipërinë para në sfidat që ka vendi, integrimi rimëkëmbja ekonomike, rindërtimi e deri tek menaxhimi i pandemisë.

I ftuar në një emision televiziv, Xhafaj tha se kjo qeveri ka menaxhuar krizat më të mëdha që ka pasur vendi në 100 vitet e fundit.

“Tërmetin e 26 nëntorit dhe sigurisht efektet e pandemisë që të gjitha vendet e botës i ndiejnë. Në qeverinë e re janë konfirmuar shumica e ministrave që kanë bërë punën që është dashur, dhe në fund të ditës votëbesimi për një kryeministër, për një parti e cila ka drejtuar e vetme katër vite, dy nga të cilat kanë qenë kriza të thellë, është në fakt dhe një votëbesim për qeverinë, mandatin e saj dhe efektin që ajo ka pasur në menaxhimin e krizave”, tha ai.

Ai theksoi se ekipi i ri i qeverisë do ta çojë Shqipërinë.

“Formacioni i qeverisjes është ekipi që do ta çojë Shqipërinë dhe duhet të hapi domosdoshmërisht një kapitull të ri, në ato që janë sfidat më të mëdha aktuale të vendit, që nga integrimi dhe rimëkëmbja ekonomike, rindërtimi tek menaxhimi i pandemisë. Është një qeveri që e ka provuar me punë në një kohë shumë të vështirë që mund të mbajë peshën e menaxhimit të krizave”, tha Xhafaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.