Përjashtimi i Berishës, Nishani: Thikë pas shpine për demokratët

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Ish-presidenti Bujar Nishani tha sot se përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar është pjesë e projektit Rama-Basha dhe thikë pas shpine për demokratët.

“Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë! Misioni që i është ngarkuar Lulzim Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti-PD e antidemokratik, që prej atij të tentuar në 1997”, tha Nishani në një intervistë televizive.

Nishani tha se “asgjësimi i PD-së është asgjësimi i opozitës sot, është asgjësimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë”.

“Tezat e Edi Ramës se Lulzim Bashën e detyroi SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjësimit të PD. Basha ka patur ultimatume të forta nga SHBA për të mos djegur mandatet e mos braktisur Parlamentin! Basha ka marrë kërkesa të forta e të qarta nga SHBA për të mos bojkotuar zgjedhjet dhe pushtetin lokal! Basha as i mori në konsideratë ato kërkesa e ultimatume të SHBA dhe i injoroi ato plotësisht”, tha Nishani.

Duke vijuar më tej, Nishani tha se “megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste, sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri”.

“Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjësimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për t’i shërbyer të nesërmes së Shqipërisë”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.