Peleshi në konferencën e ministrave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Me iniciativë të Ministrisë së Mbrojtjes të Austrisë u zhvillua në Krems të Austrisë konferenca e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Formati – “Graz”.

Me ftesë të palës austriake në takim morën pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësues të nivelit të lartë të Austrisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Konferenca ka për qëllim zbatimin e Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor në drejtim të qëndrueshmërisë, stabilizimit të rajonit dhe paraanëtarësimit në Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Pjesëmarrësit u njohën mbi inovacionet më të fundit të CSDP nga përfaqësues të nivelit të lartë të Komisionit Evropian.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi politikat e mbrojtjes, për të promovuar bashkëpunimin rajonal në formën e programeve dhe aktiviteteve, me qëllim rritjen e ndërveprimit rajonal për Operacionet e Mbështetjes së Paqes (PSO) të drejtuara nga BE-ja, operacionet ndërkufitare të menaxhimit të fatkeqësive natyrore dhe transmetimin e vlerave ushtarake/kulturore të Evropës Perëndimore, për të promovuar rritjen e stabilitetin dhe besimit reciprok në rajon.

Ministri i Mbrojtjes, Peleshi, ndër të tjera vuri në dukje rëndësinë që ka për çdo iniciativë rajonale “Politika e Dyerve te Hapura” për të gjitha vendet e rajonit. Përfshirja e Kosovës dhe të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet parimi themelor ku mbështet zhvillimi rajonal në të gjitha fushat.

Në përfundim të takimit u nënshkrua Deklarata e Përbashkët me të cilën synohet rritja e bashkëpunimit rajonal në fushat e “Dialogut Strategjik” dhe “Ndërtimit të Kapaciteteve”. Gjithashtu u ra dakord se të gjitha vendet pjesëmarrëse mbeten të angazhuara për një “Politikë të Dyerve të Hapura”, duke mirëpritur çdo vend i cili ndan të njëjtat parime dhe kontribuon në sigurinë rajonale.

Gjate kësaj konference, ministri Peleshi zhvilloi takime të shkurta informale me homologët e tij nga Austria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.

Gjatë këtyre ndërveprimeve informale, Peleshi nënvizoi qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për sa i përket proceseve integruese dhe gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si dhe për të shqyrtuar mundësi të reja në të ardhmen.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.