Gjiknuri, takim në Elbasan: Mandati i tretë kërkon më shumë përgjegjësi

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në kuadër të turit të takimeve prezantuese të drejtuesve politikë të qarqeve, pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka vijuar sot takimet në Elbasan.

I caktuar si drejtues politik i qarkut të Elbasanit, Gjiknuri është shprehur se e njeh këtë qark, pasi aty është zgjedhur për herë të parë deputet dhe se duhet çuar më tej puna e mirë e bërë nga Taulant Balla.

“Elbasani është një qark që e njoh, sepse këtu jam zgjedhur deputet për herë të parë. Një pjesë e origjinës familjare vjen nga ky qytet, gjë që më bën të ndjehem mirë. Taulanti është një njeri që ka punuar shumë për Partinë Socialiste, mirëpo për të vijuar më tej duhet frymë bashkëpunimi mes gjithsecilit prej nesh,” tha Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste u shpreh se mandati i tretë kërkon më shumë përgjegjësi, teksa vendosi theksin edhe tek realizimi i detyrave të ngarkuara në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, në mënyrë që të ruhet rezultati i zgjedhjeve të fundit dhe tek puna për të realizuar premtimet e bëra për qytetarët.

“Elbasani ka pasur një rezultat fantastik këtë fushatë, megjithatë zgjedhjet lokale janë afër dhe duhet shumë punë. Mandati i tretë nuk do të jetë i lehtë, pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që premtimet që janë dhënë për Elbasanin të realizohen”, përfundoi fjalën e tij Gjiknuri.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili falënderoi të gjithë kontributorët për fitoren e Partisë Socialiste dhe u shpreh se të gjitha sukseset e arritura në qarkun e Elbasanit janë kontribut i punës së të gjithë socialistëve në këtë qark.

“Dua t’ju falenderoj të gjithëve për punën që keni bërë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka menduar që ne duhet të bëjmë një ndryshim dhe nuk e shoh si një gjë të gabuar, por përkundrazi një gjë shumë të mirë në mënyrë që eksperiencat e fituara t’i vëmë në zbatim në qarqe të tjera.Të gjitha fitoret janë kontribut i punës së të gjithëve ne. Është shumë e rëndësishme që bashkë me Damianin të çojmë përpara punët e nisura. Në Elbasan, dhe jo vetëm, duhet që në zgjedhjet e ardhshme të maksimizojmë rezultatin”, tha Balla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.