Kurti: Jemi për shtyrjen e zgjedhjeve, por do të respektojmë çfarëdo vendimi

PRISHTINË, 13 shtator/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së Albin Kurti, ka deklaruar se si parti janë që të shtyhen zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe partitë politike, Kurti tha se janë të pajtimit që zgjedhjet të shtyhen sipas rekomandimit të IKSHPK.

“Në mënyrë që të mos ndalohet dhe të mos kemi edhe një valë të re për shkak se versioni delta është eksploziv, në muajt nëntor dhe dhjetor, ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë, por jemi të brengosur meqenëse nuk krahason zgjedhjet lokale me ato parlamentare… Duke pasur parasysh të gjitha këto elemente dhe gjendjen e sistemit tonë shëndetësor, ne mendojmë që është mirë që të respektohet me konsensus vlerësimi i profesionistëve të IKSHPK-së, mirëpo duket që ky nuk do të jetë rasti. Sidoqoftë, si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi në ballë të kësaj beteje. Shpreha si kryetar i Vetëvendosjes qëndrimin tonë dhe duhet të pritni përfundimin e mbledhjes që të merrni vesh për vendimin”, ka thënë Kurti.

Për më tepër kreu i Qeverisë së Kosovës nuk ka dashur të flasë rreth qëndrimit të partive opozitare për shkurtimin e fushatës dhe mos shtyrjes së datës së zgjedhjeve.

“Ata do ta thonë qëndrimin e tyre. Nuk jam unë për të thënë qëndrimin e opozitës”, ka thënë Kurti.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.