Dërgesat e emigrantëve, 340 milionë euro në këtë 6-mujor

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Dërgesat në para të emigrantëve (remitancat) në 6-mujorin e parë të këtij viti, shënuan vlerën 340 milionë euro, duke prekur nivelin më të lartë të dhjetë vitet e fundit, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, remitancat janë rritur me 25% dhe me vitin 2019, rritja është 2.2%.

Rolin kryesor në këtë tendencë ka luajtur tremujori i parë, kur treguesi i remitancave për arriti në 169 milionë euro, me rritje 12.5% në raport me tremujorin e parë 2019.

Në 3-mujorin e dytë 2021, remitancat ishin 42% më të larta se e njëjta periudhë e vitit pandemik. Por, ato ishin në rënie me 10.7% në krahasim me prill-qershorin e 2019-s, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten vendet kryesore prej nga dërgohen paratë në Shqipëri,  por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.