Festa e Birrës në Korçë, policia shton kontrollet për sigurinë rrugore

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Në vijim të masave të marra në kuadër të festës së Birrës, nisur nga fakti se fluksi i automjeteve në aksin rrugor Qafë Thanë-Korçë, është shumë i lartë, Policia apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikat vertikale dhe horizontale, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe të celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.

Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme janë prezente në të gjitha akset rrugore, për të menaxhuar ngarkesën e trafikut, rritur sigurinë rrugore dhe duke ushtruar kontrolle për shpejtësinë me radar, për përdorimin e pijeve alkoolike me dragera, për dokumentacionin e nevojshëm dhe duke i ardhur në ndihmë çdo turisti të huaj apo vendas, me orientimin e duhur në lidhje me lëvizjen.

Policia rikujton qytetarët se mbrëmjen e sotme, në këtë aktivitet do të lejohen të hyjnë vetëm personat, të cilët janë të pajisur me biletë.

Pranë vendit të quajtur “City Center”, këta shtetas do t’i nënshtrohen edhe një kontrolli fizik, ku nuk do të lejohet mbajtja e sendeve të ndaluara dhe më pas do të mund të hyjnë në brendësi të Terminalit, vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore nga “City Center”.

Shërbimet e Policisë, kanë siguruar dhe janë në marrje e vlerësim të çdo lloj informacioni për persona të cilët mund të kenë tendenca për veprime të dhunshme. Aktualisht janë duke u verifikuar disa shtetas, me qëllim sigurimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e eventit, deri në përfundim të tij.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri të konstatuar, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.