Shpejtësi mbi normat e lejuara, arrestohen 14 drejtues mjetesh dhe pezullohen 56 leje drejtimi

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Policia Rrugore informoi sot për fluks të shtuar në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim, ndërsa u bëri apel qytetarëve mos të shpejtojnë dhe mos të kryejnë parakalime të gabuara.
Policia bën thirrje që qytetarët të qëndrojnë në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, si dhe të përdorin rrugë alternative duke shmangur orët e pikut.
“Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep, se kudo ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se dyfishi i normës së lejuar.
Konretisht në Rrugën e Kombit, në drejtimin e lëvizjes Kukës-Rrëshen, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar me radar shtetasi kosovar E. B., rezident në Angli, duke qarkulluar me një mjet “Jaguar”, me shpejtësi 191 km/orë. Ky drejtues u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
Shpejtësi të larta janë konstatuar nga shtetas të tjerë kosovarë, rezidentë në Zvicër, Angli e vende të BE-së, që qarkullonin me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, në Bypass-in e Fierit dhe në Tiranë-Durrës-Kavajë.
Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu, janë pezulluar 56 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia ka ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2019 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore, nisur nga fakti se në akset rrugore përgjatë gjithë ditës së sotme ka pasur dhe vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve që qarkullojnë në të dyja kahet e lëvizjes, apelon të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
“Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional”, thuhet në njoftimin e Policisë. /m.m/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.