Përmbytjet në Gjermani, Ambasada: Faleminderit shqiptarëve për mbështetjen

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, përmes ambasadorit Peter Zingraf ka shprehur falenderimet për solidaritetin që ka treguar e gjithë Shqipëria për përmbytjet në Gjermani.

“Shkatërrimi i shkaktuar nga katastrofa e përmbytjes në Gjermani na tronditi të gjithëve. Ambasadori Zingraf dhe i gjithë stafi i ambasadës dëshiron të falënderojë për mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe solidaritetit që na kanë mbërritur nga të gjitha anët këtu në Shqipëri, nga institucionet dhe qytetarët/et!”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

“Kohët e fundit në 2002, 2005 dhe 2013 ka patur përmbytje me shkatërrime të rënda si dhe viktima në Gjermani dhe vendet fqinje. Por numri i viktimave në katastrofën aktuale ishte shumë herë më i lartë. Rindërtimi do të zgjasë me vite dhe humbjet e jetëve të njerëzve janë të parikuperueshme”, vijon njoftimi i Ambasadës gjermane.

“Fatkeqësia na kujton ne në Gjermani dhe në gjithë Europën se mbrojtja intensive e klimës dhe peizazhit natyror është urgjente nëse duam të parandalojmë ngjarje të tilla vdekjeprurëse ose të paktën t’i zbusim ato. Falënderojmë miqtë shqiptarë për shenjën e tyre të solidaritetit!”, përfundon njoftimi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.