Festa Kombëtare e Francës/ Meta letër urimi Macron: Zgjerim i bashkëpunimit ekonomik dhe rritje e investimeve franceze

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Presidenti Ilir Meta i nisi sot një letër urimi Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, me rastin e Festës Kombëtare të Francës.

“Në një ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin tuaj, jam i kënaqur të konstatoj se marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë mbështeten në miqësinë, bashkëpunimin dhe partneritetin e shëndoshë euroatlantik”, theksoi Meta.

Presidenti shprehu bindjen se “kjo frymë bashkëpunimi do të forcohet edhe më tej, veçanërisht në përballjen me sfidat globale e rajonale, që të dyja vendet do të kenë përpara në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Organizatë së Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme, duke filluar nga 1 janari 2022”.

Besoj fort, vijoi Meta, “se tradita e shkëlqyer e bashkëpunimit mes dy vendeve do të zgjerohet edhe më tej në fushën ekonomike, tregtare dhe në rritjen e investimeve franceze në vendin tim”.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme dhe inkurajimin që Franca i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, që mbetet qëllimi madhor, strategjik dhe kombëtar i Shqipërisë./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.