Klosi – Vuçiç: Rritje e bashkëpunimit dhe ofertave të përbashkëta turistike mes vendeve të rajonit

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, së bashku me delegacionin që e shoqëron, u pritën sot në një takim nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin diskutuan për çuarjen përpara të bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Gjatë takimi ministri Klosi tha se, “turizmi s’ka kufi dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për të rritur e konsoliduar destinacionin turistik të Ballkanit”.

“Biseduam për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën e turizmit, si një nga sektorët rajonal me më shumë potencial ekonomik. Bashkëpunimi mes vendeve të Rajonit, për ndërtimin dhe konsolidimin e ofertave të përbashkëta, mbetet kusht i depërtimit turistik në tregjet e largëta”, – theksoi Klosi.

Sipas tij, diskutimi u përqendrua edhe në mbështetjet e mundshme për turistët e rajonit, zhvillimin e fushatave promovuese të Shqipërisë në Serbi, nxitjen e festivaleve rinore në bregdetin tonë e të tjera tema për konsolidimin e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.

“Turizmi, sikundër ka nënvizuar edhe më herët Kryeministri Edi Rama, është industria më lidhëse e Ballkanit Perëndimor”, – tha Klosi.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.