Rritje e kapaciteteve të Policisë Kriminale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj dhe drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj kanë pritur në takim  Bojana Balon, drejtuese e SEESAC – South Eastern and Eastern Europe Clearinghouse for the Control of Small Arms and Light Weapons – Organizatë Ndërkombëtare në Europën Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe Armëve të Lehta.

Qëllimi i takimit me drejtorin e Policisë Kriminale ishte vlerësimi i kapaciteteve të Policisë Kriminale në luftën kundër zotërimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve.

Po ashtu, u diskutua për hapat e mëtejshëm për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kriminale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, bazuar në vlerësimin e realizuar të nevojave, për të përcaktuar pajisjet që duhen prokuruar dhe hapat e parë lidhur me hartimin e procedurës standarde të veprimit dhe kurrikulës së trajnimit.

Në takimin me Merkajn u diskutuan hapat e mëtejshëm për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, bazuar në vlerësimin e nevojave të realizuar nga SEESAC, për të përcaktuar pajisjet që duhen prokuruar dhe hapat e parë lidhur me hartimin e procedurës standarde të veprimit dhe kurrikulës së trajnimit.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.