Prioritetet e turizmit shqiptar dhe hyrja në tregjet botërore/ Klosi takim me homologen spanjolle

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Në prag të sezonit turistik ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Turizmit të Spanjës, Maria Reyes Maroto Illera.

Ministri Klosi bën me dije se në takimin me homologen spanjolle u diskutua mbi zhvillimin dhe prioritetet e turizmit shqiptar si dhe mundësitë për të hyrë në tregjet botërore të turizmit.

Gjithashtu ministri Klosi zhvilloi dhe një takim me Sekretarin Kroat të Shtetit për Turizmin, Tonči Glavina.

“Me Sekretarin Kroat të Shtetit për Turizmin Tonči Glavina biseduam mbi turizmin rajonal, ofertat e përbashkëta turistike, bashkërendimi i përpjekjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar industrinë e turizmit”, tha Klosi.

Këtë vit në Shqipëri do të ketë një sezon “covid free” dhe siguri të garantuar në të gjitha pikëpamjet. Do të ketë rregulla që nga siguria e jetës në plazhe, sigurimi i rendit, niveli i zhurmave, muzikës, duke garantuar komoditet për çdo pushues vendas dhe të huaj.

Pavarësisht se për shkak të vaksinimit masiv Shqipëria ka dal nga zona e kuqe e hartës botërore të COVID-19 për numrin e infektimeve edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave antikovid, për të patur një situatë të kontrolluar të COVID-19 gjatë sezonit turistik.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.