Rriten eksportet e perimeve, 30 % e totalit të prodhimit vjen nga serrat

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Gjashtëqind e pesëdhjetë projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e mbi 380 milionë lekëve.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se ka mbështetur 650 projekte ndër vite kanë rritur me 598 ha sipërfaqen e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore dhe programit IPARD.

Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara.

Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara kanë qenë serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit termik, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bostanorëve në tunele.

Sipas statistikave të bujqësisë, 30 % e totalit të prodhimit të perimeve vjen nga serrat.

Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.