Vijon vaksinimi masiv në Gjirokastër/ E patolerueshme humbja e ngarkesës së djeshme të vaksinave, forca të së shkuarës duan të marrin peng të ardhmen


TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Gjirokastër, ku po vijon vaksinimi masiv ashtu si në të gjithë vendin, në qendrat e qyteteve e gjithashtu në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

Nga Gjirokastra, Rama e cilësoi të patolerueshme dhe të pajustifikueshme faktin se ne e kemi humbur ngarkesën e djeshme të vaksinave.

“Kjo është realisht e dhimbshme në një kohë lufte ku çdo sekondë dhe çdo minutë vlen dhe ne nuk po lëmë minutë dhe sekondë pa shfrytëzuar, por sidoqoftë një gjë është mbase pak por e sigurt, që nuk ka shanse që forca destruktive, forca absolutisht të verbëra, forca të së shkuarës që duan me çdo kusht të rimarrin peng të ardhmen, të na ndalin në këtë proces”, tha Rama.

Rama tha se “i kanë bërë llogaritë gabim dhe kanë marrë përsipër të sfidojnë qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar”.

Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “në gjithë qarkun e Gjirokastrës janë kryer mbi 10 mijë vaksinime dhe në tërësi kemi arritur numrin mbi 230 mijë vaksinime”.

“Në Gjirokastër ne kemi filluar të ulim pak moshën edhe pse presim që këtë fundjave të kemi ulje moshe për gjithë vendin mbi 65 vjeç dhe ata mbi 60 vjeç me sëmundje kronike”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “kemi pasur pak vështirësi, sepse pezullimi i linjave ajrore ka bërë që edhe vaksinat që prisnim të vinin të vonohen, ndërkohë që ne duam të rrisim ritmin e vaksinimeve dhe të jemi te 20 mijë, madje dhe 30 mijë vaksinime në ditë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.